UBT hap institutin dhe akademinë për studimin e verërave

21/09/2022

UBT zyrtarisht ka hapur institutin dhe akademinë për studimin e verërave, në bashkëpunim me universitetin prestigjioz hungarez “Tokaj – Hegyalja Egyetem”, duke dëshmuar fuqishëm angazhimin dhe seriozitetin për të rritur ekosistemin inovativ përmes bashkëpunimit dhe miqësisë me universitete ndërkombëtare.

Në një ceremoni solemne në hapje të vitit të ri akademik të universitetit “Tokaj – Hegyalja Egyetem”, në Sárospatak të Hungarisë, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si i ftuar special, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me këtë universitet, me të cilin do të thellohen përpjekjet në zhvillimin e mëtutjeshëm të shkencës dhe ndërveprimit kulturor, sidomos në fushën e studimit të verërave, bujqësisë dhe turizmit.

Përmes këtij bashkëpunimi të cilit pritet t’i bashkohen edhe institucione të tjera nga Italia, UBT synon shkëmbimin e studentëve, të stafit akademik dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me universitetin “Tokaj – Hegyalja Egyetem” në Hungari, duke u mundësuar gjithsecilit krijimin e përvojave të reja dhe thellimin e njohurive për fusha të caktuara studimi, krijimin e studimeve të përbashkëta, hulumtimin në fushat përkatëse, si dhe krijimin e një instituti të përbashkët.

Qëllimi i gjithë këtij bashkëpunimi është të ndihmohet industria e verërave në Kosovë, në mënyrë të atillë që përmes bashkëpunimit dhe përvojës së partnerëve dhe ekspertëve tanë, të ngriten cilësia, vlerat dhe njëkohësisht edhe ndërkombëtarizimi i brendeve të kësaj industrie.

Rektori Hajrizi, përgjatë qëndrimit në Hungari ka takuar rektorilen e këtij universiteti partner, Dr. Horváth Ágnes, përfaqësues të institucioneve dhe kulturave të ndryshme, si dhe bibliotekën e qytetit Tokaj.

UBT si synim primar dhe kryesor ka krijimin e bashkëpunimeve me universitete prestigjioze ndërkombëtare, duke i hapur mundësi të reja të rinjve të Kosovës, për t’u përfshirë në programe studimi dhe fusha të ndryshme dhe për të përfituar njohuri dhe përvoja të reja.