UBT ftohet nga MAShTI të japë ekspertizat profesionale lidhur me implementimin e mësimit online

17/03/2020

Tash e gati 18 vjet, UBT ka sjell në Kosovë inovacionet e fundit botërore dhe një primat të tillë po e mban fuqishëm përmes projekteve të shumta inovative, siç është hapja e qendrës më të madhe në ballkan për realitet virtual, investim 30 milion dollarë ku UBT po e implementon në bashkëpunim me kompaninë gjigande të teknologjisë, EON Reality.

 

Duke qenë se UBT ka ndryshuar edhe qasjen e vendit ndaj arritjeve të reja teknologjike, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në takim me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Hykmete Bajrami, për të ndarë përvojën e institucionit që ai drejton në arsimin e bazuar në internet.

 

Konkretisht, rektori Hajrizi ka ndarë ekspertizat e tij profesionale lidhur me mësimin online në mënyrë virtuale, ku edhe ka shprehur gadishmërinë për të mbështetur ministrinë në hartimin e platformës për mësim online për gjithë nxënësit në vend.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi potencoi që do të ndihmojë institucionet përkatëse në tejkalimin e situatës së krijuar shkaku i pandemisë COVID-19, ndërkaq tha se do të japë kontribut profesional dhe akademik për menaxhimim e situatës, sidomos në sistemin arsimor.

 

UBT vite më parë ka sjellë në Kosovë modelin e arsimit të bazuar në internet, ku po e implementon në institucion me praktikat më të mira inovative të marra nga universitetet botërore.