UBT e UPT nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi ndëruniversitar

21/12/2016

Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), prof. dr. Edmond Hajrizi, ka nënshkruar, të mërkurën, marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT).

Nënshkrimin nga UPT-ja e ka hedhur prof.dr. Florian Nepravishta, dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) në këtë universitet.

 

Marrëveshja është nënshkruar në UBT, ndërsa në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë edhe rektori i UPT-së – prof. dr. Andrea Maliqari; zv.rektori – prof. asoc. Akli Fundo; dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN) – prof. asoc. Gëzim Hasko; zv. dekani i FAU – dr. Gjergj Islami; përgjegjësi i DA – Daniel Qamo dhe përgjegjësi i DRTA-së – Endrit Tuzi.

 

Marrëveshja e bashkëpunimit do të jetë pjesë e një përfitimi të përbashkët, në fusha të ndryshme, në interes të dy universiteteve.

 

Objektivat kryesorë të kësaj marrëveshjeje janë për promovimin kulturor, edukimin, shkëmbimin e mësimdhënies dhe bashkëpunimit maksimal të mundshëm ndërmjet dy institucioneve etj.

 

Fushat që përfshihen në marrëveshje parashohin vizitat bashkëpunuese ndërmjet stafeve akademike, administrative dhe të studentëve;  shkëmbimi i materialeve në edukim, kërkim shkencor; publikime dhe informime akademike;  trajnime të përbashkëta teknike dhe administrative; zhvillim të përbashkët në shkëmbime kursesh, praktikash apo programesh mësimore;  udhëheqje të përbashkëta doktoratash etj.

Përfaqësuesit e këtyre dy universiteteve, siç u theksua, do të specifikojnë bashkëpunimin në nivel fakultetesh të dy universiteteve.