UBT e MKRS merren vesh për shkëmbime akademike e programe hulumtuese

18/04/2016

UBT-ja ka nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe me Institutin Arkeologjik të Kosovës (IAK).


Marrëveshja ka të bëjë me zhvillimin e programeve të bashkëpunimit në rrafshin e shkëmbimit akademik dhe në programe hulumtuese, ndërsa është nënshkruar midis rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.


Memorandumit parasheh shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e hapësirave, që studentët e UBT-së të realizojnë punë praktike në MKRS e IAK, ndërsa UBT-ja në kuadër të programeve dhe trajnimeve t’u ofrojë mundësi participimi në përputhje me politikat e përcaktuara të institucionit.


Sipas Memorandumit, UBT-ja i vë në dispozicion MKRS-së dhe IAK-ut programe dhe trajnime, që kanë për qëllim ngritjen dhe avancimin e stafit të tyre, në përputhje me një politikë të miratuar nga të dy palët paraprakisht. 


Ministri Shala e ka cilësuar Memorandumin si hap të rëndësishëm në zhvillimin e raporteve midis institucioneve kulturore dhe të pavarura arsimore, në funksion avancimit të fushave të interesit të përbashkët dhe krijimit të mundësive dhe hapësirave për bashkëpunim. 


Edhe rektori i UBT-së, Hajrizi, e ka vlerësuar lart Memorandumin.

 

“Ka domethënie të veçantë për UBT-në, sepse krijon mundësi për studentët tij dhe ofron mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë në fushat specifike me institucionet përkatëse”, ka thënë Hajrizi.