UBT dhe Universiteti i Tartu-së bashkëpunojnë në projektin “DIMTV”

21/09/2018

Zhvillimi dhe Implementimi i Multimedias dhe Televizionit Digjital (DIMTV) është një nga projektet madhore të Bashkimit Evropian, konkretisht programit Erasmus+, pjesë e të cilit është edhe UBT-ja si partner dhe lider në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

 

Në kuadër të këtij projekti që financohet dhe mbështetet nga Erasmus+, një delegacion nga UBT-ja, i përbërë nga profesori Blerton Abazi dhe Besnik Qehaja, kanë realizuar vizitë pune në Estoni, konkretisht në Universitetin dhe Institutin e Tartu-së.

 

Ata kanë ndjekur trajnime në fushën e përpunimit të imazhit dhe aplikimit të vizionit kompjuterik, teksa janë njoftuar edhe me shumë projekte praktike të këtyre fushave që studentët dhe profesorët në Estoni i realizojnë së bashku.

 

Me këtë rast, profesorët Abazi e Qehaja treguan për përkushtimin dhe gatishmërinë që projektet e kësaj natyre të gjejnë zbatim edhe në UBT, pasi që nën ombrellën e institucionit është themeluar UBT TV, i licencuar nga KPM-ja, i cili do të transmetojë çështje të shkencës, inovacionit, tema që lidhen me studimet e studentëve, me aktivitete që zhvillohen brenda UBT-së, si dhe do të paraqiten video rrëfime suksese të studentëve.

 

DIMTV është projekt që ka të bëjë më zhvillimin e programeve dhe moduleve të reja në fushën e multimedias dhe televizionit digjital, teksa falë këtij projekti UBT do të pajisjet me një laborator të dedikuar fushës së multimedias, i cili do të themelohet gjatë vitit akademik 2018-2019.