UBT dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e iniciativave akademike dhe shkencore
16/06/2026UBT dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën akademike dhe shkencore.
Përmes kësaj marrëveshjeje do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor, organizimit të konferencave, akademive dhe shkollave verore, si dhe aktiviteteve të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy institucioneve.
Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij bashkëpunimi, do të organizohet edicioni i parë i Shkollës Verore për Mësuesit e Diasporës, një nismë e përbashkët e UBT-së dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, me moton: “Mëso Shqipen – Njih Kulturën, përmes së Ardhmes Digjitale”.
Shkolla verore do të mbahet nga 29 qershori deri më 10 korrik 2026, në format online, duke ofruar 60 orë trajnim profesional gjatë 10 ditëve për mësuesit shqiptarë që veprojnë në diasporë.
Interesimi për pjesëmarrje në Shkollën e përbashkët verore është jashtëzakonisht i madh, duke dëshmuar nevojën dhe rëndësinë e mbështetjes së mësimdhënies së gjuhës shqipe, ruajtjes së identitetit kombëtar dhe fuqizimit profesional të mësuesve të diasporës.
Kjo nismë synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, forcimin e identitetit kulturor dhe zhvillimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike dhe komuniteteve shqiptare kudo në botë.


