UBT dhe Raiffaisen Bank hapin laboratorin më inovativ të teknologjisë në Kosovë (Video)

07/03/2019

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është përuruar sot laboratori i teknologjisë, laborator i cili është krijuar nga UBT dhe Raiffaissen Bank, e që do të përdorohet për përgatitje profesionale të studentëve dhe stafit të IT-së së bankës.

 

Ky laborator është i pajisur me mjetet më të sofistikuara, si dhe do të shërbejë si hapësirë për inovacion dhe teknologji, ku në të studentët do të mund të realizojnë projekte dhe të zhvillojnë punën praktike.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka theksuar se institucioni posedon laboratorët e vet në të gjitha fushat e studimit, ku u mundësojnë studentëve realizimin e projekteve dhe anën praktike të ligjëratave.

 

Hajrizi tha se laboratori i teknologjisë mund të përdoret edhe për trajnime, punëtori ose hulumtime të përbashkëta ndërinstitucionale.

 

“Lidhja mes industrisë dhe akademisë gjithnjë është e nevojshme, dhe ka qenë një qasje proaktive e bankës që ka ndihmuar në krijimin e qendrës apo laboratorit të teknologjisë. Është një bashkëveprim për të cilin jemi shumë të kënaqur pasi që studentët do të përfitojnë shumë në kompetencat profesionale. Studentët do të përgatiten profesionalisht dhe duke u bazuar në kërkesat e tregut të punës”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Ndërkaq, anëtari i Bordit Menaxhues të Raiffaiseen Bank, Shukri Mustafa, tha se institucioni që ai përfaqëson, po përkrah studentët përmes projekteve të tilla me qëllim të aftësimit profesional të tyre.

 

“Përurimi i këtij laboratori eshtë si rezultat i një bashkëpunim të frytshëm me UBT-në. Në fakt, studentët do të kenë mundësinë të shohin se si funksionojnë sistemet tona, si dhe do të përgatiten për të ushtruar profesionin e IT-së edhe në bankë”, tha Mustafa.

 

UBT posedon mbi 60 laboratorë shkencorë që janë të pasur me pajisje moderne të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, e që funksionojnë në bazë të standardeve Evropiane.