UBT dhe komuna e Vitisë hartojnë  planin e ri zhvillimor komunal

18/03/2021

UBT, në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, konkretisht Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, kanë mbajtur një takim publik me qytetarë të Komunës së Vitisë lidhur me hartimin e Planit Zhvillimor Komunal 2021-2029.

 

Në këtë takim u bë prezantimi i profilit të gjendjes ekzistuese dhe analiza e kësaj gjendjeje, teksa Drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ajet Sallahu, theksoi se Komuna e Vitisë bashkë me UBT-në po hartojnë planin e ri zhvillimor për 8 vitet e ardhshme.

 

Prof.dr. Hazer Dana, ndër të tjera ka folur rreth punës së përbashkët mes UBT-së dhe Komunës së Vitisë në hartimin e këtij dokumenti që është shumë i rëndësishëm për qytetarët, teksa prezantimin e gjendjes ekzistuese dhe analizës e saj e ka bërë profesoresha në UBT, Lyra Bakia.

 

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka thënë se ky plan zhvillimor është jetik për Komunën e Vitisë dhe qytetarët e saj. Ai ka thënë se përmes këtij takimi, qytetarët jo vetëm se do të njihen me gjendjen ekzistuese por edhe mund të japin sugjerime lidhur me këtë plan zhvillimor përpara se të përfshihet dokumenti final.

 

UBT vazhdon që t’iu qëndrojë afër të gjitha komunave të Kosovës, duke iu ofruar ndihmën e nevojshme që secila komunë ka, përmes aseteve dhe teknologjive më të reja të cilat UBT posedon.