UBT bëhet pjesë e GUESSS – Projektit më të madh global hulumtues rreth ndërmarrësisë së studentëve

22/10/2018

GUESSS (Global University Entrepreneurial Spirit Students‘ Survey) është projekt që ka filluar në vitin 2003, në University of St.Gallen dhe University of Bern (Zvicër).

Këtë vit, më shumë se 1000 universitete nga 50 vende do të jenë pjesë e këtij projekti.

 

Përmes UBT-së, Kosova do të jetë një nga shtetet pjesëmarrëse në këtë projekt të rëndësishëm të identifikimit të potencialeve për ndërmarrësi të studentëve.

GUESSS konsiderohet si një nga projektet më të mëdha hulumtuese në fushën e ndërmarrësisë.

 

Qëllimi i hulumtimit është që të identifikojë nivelin e ndërmarrësisë tek studentët, të analizojë mënyrat se si mund të fillohet dhe të rritet një biznes i ri, si dhe të shikohet roli i bizneseve familjare në këtë proces.

Përmes këtij hulumtimi do të identifikohen faktorët që ndikojnë dhe motivojnë një individ për të filluar një biznes të ri, si dhe të përcaktohet roli i edukimit nga fusha e ndërmarrësisë në formimin e një ndërmarrësi të ri.

 

Gjithashtu, përmes këtij hulumtimi do të mund të shihet roli i faktorëve makroekonomikë, institucionet që promovojnë ndërmarrësinë dhe ndikimi i kulturës në ambientin e përgjithshëm të të bërit biznes.

 

Ky projekt është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe do të mund të përdoret si një platformë shumë e mirë për dizajnimin e politikave që promovojnë ndërmarrësinë tek studentët dhe tek të rinjtë në përgjithësi.

 

Ndërmarrësia mendohet të jetë një nga metodat për të zvogëluar papunësinë e lartë në Kosovë, duke e bërë kështu këtë projekt të rëndësisë së veçantë për UBT-në dhe vendin.