UBT arrin marrëveshje bashkëpunimi me MIT World Peace University nga India

06/03/2018

Zgjerimi i rrjetit të partnerëve akademikë ndërkombëtarë të UBT-së, po vazhdon të zgjerohet me institucione nga e mbarë bota, duke mos njohur kufij e kufizime të tjera.

Së fundmi, UBT ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me MIT World Peace University, i cili gjendet në qytetin Pune, në Maharashta të Indisë.

 

Konkretizimin e kësaj marrëveshjeje e kanë bërë rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe presidenti i MIT-WPU, prof. dr Rahul Vishwanath Karad, të cilët janë pajtuar për një mori çështjesh e organizimesh në nivel akademik, duke pasur si objektiv kryesor bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe hulumtimit akademik.

 

Në kuadër të marrëveshjes së arritur, është paraparë publikimi i përbashkët i punimeve shkencore, shkëmbimi i përvojave akademike, realizimi i kërkimeve dhe projekteve të përbashkëta profesionale, realizimi i trajnimeve dhe projekteve të shkëmbimit, mobiliteti i stafit dhe studentëve të të dy institucioneve, organizimi i konferencave, seminareve dhe paneleve të diskutimit, zhvillimi i programeve dhe kurseve të përbashkëta, si dhe shkëmbimi i informacioneve e materialeve të fushave të ndryshme të studimit, që janë në interes të të dy palëve.

 

UBT ka mbi 250 partnerë ndërkombëtarë nga pothuajse të gjitha vendet e botës, me të cilët, që nga themelimi e deri më sot, ka realizuar një varg aktivitetesh të përbashkëta, prej të cilave më së shumti kanë përfituar stafi dhe studentët e UBT-së dhe të institucioneve partnere.