UBT aftëson studentët për tregun e punës

04/01/2017

Studentja e UBT-së në Shkenca kompjuterike dhe Inxhinieri, Marigona Çeta, pas përfundimit të studimeve themelore, është aftësuar plotësisht për tregun e punës.
Ajo punon në kompaninë për zhvillimin e softuerëve, “AdaptivIT Engineering”, në cilësinë e zhvillueses së aplikacioneve të ndryshme, në varësi të kërkesave të tregut, si dhe jep kontribut në aspektin menaxherial.

Çeta thotë se sukseset e arritura janë rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë midis profesorëve e studentëve, shembujve praktikë, si dhe literaturës adekuate të shfrytëzuar gjatë studimeve.

”Motivi më i madh për të punuar gjatë këtyre viteve kanë qenë dhe mbeten profesorët e përgatitur e bashkëpunues, atmosfera dhe vullneti për punë, por mbi të gjitha përpjekjet e mia për të arritur majat e sukseseve në karrierë”, tha ajo, duke përmendur kujtimet dhe përvojat e marra gjatë studimeve në UBT.

“Në mesin e shumë kujtimeve të bukura, ceremonia e diplomimit mbetet dita më e rëndësishme dhe më e veçantë, e cila do të jetë gjithmonë në kujtesën time”.

Aktualisht, Çeta është duke i ndjekur studimet e nivelit master në UBT, në drejtimin e Inxhinierisë së sistemeve softuerike.