U përurua qendra për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs”

13/12/2021

Në një ceremoni solemne, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, është bërë përurimi i qendrës për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs”, qendër kjo e para e këtij lloji që shpalos njohuritë dhe kreativitetin e studentëve të UBT-së në këtë fushë.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se përurimi i sotëm është një pjesë e zhvillimit të ekosistemit të UBT-së, në kuadër të grupit të menaxhimit të dijes.

 

“Një prej grupeve interesante që e ndihmojnë edukimin dhe zgjidhin probleme të ndryshme është pjesa e filmave të shkurtër, dokumentarëve, të cilët kanë një përspektivë të mirë, janë vizualisht mirë, japin mesazhe të shpejta dhe janë të kuptueshëm, dhe në këtë rast Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT ka krijuar një segment të ri që nuk e kemi pasur deri më tani – UBT-Docs, që në fakt është një zgjerim i platformës së dijes dhe një risi e re që ne e konsiderojmë si një prej risive tona të vitit 2021”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Ideatorja e qendrës për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs”, profesoresha në UBT, Anisa Rada, ka thënë se qëllimi i kësaj qendre është që studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim dhe Art dhe Media Digjitale të kenë mundësi që të shpalosin idetë dhe njohuritë e tyre, përmes prodhimit të dokumentarëve me tema të ndryshme sociale, kulturore, si dhe artistike.

 

Rreth kësaj qendre ka folur edhe dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, prof.dr. Ferid Selimi, i cili ka thënë se kjo qendër është një mundësi shumë e mirë për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT që të prodhojnë dokumentarë përmes ideve kreative dhe mësimeve që ata kanë marrë në UBT, duke krijuar kështu një gërshetim unik në aspektin e teorisë dhe praktikës.

 

Ndërkaq, profesori në UBT, Bekim Sele, ka vlerësuar se qendra për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs”, është një vlerë e shtuar e re e institucionit, karshi mundësive që ky institucion i arsimit të lartë po u jep studentëve, teksa ka përgëzuar punën e studentëve në këtë periudhë me krijimin e dokumentarëve që prekin tema të ndryshme sociale e kulturore.

 

Në ceremoninë solemne të përurimit të qendrës për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs”, u prezantuan projekte të punuara nga studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim, meqë rast studentet, Anita Bakalli dhe Nesa Kryeziu falënderuan UBT-në dhe Fakultetin Media dhe Komunikim për mundësinë e ofruar për të shfaqur idetë e tyre, duke inkurajuar edhe studentët e tjerë që t’i bashkëngjiten punës së kësaj qendre.

 

Qendra për krijimin e dokumentarëve “UBT-Docs” përveç që u mundëson studentëve të Fakultetit Media dhe Komunikim, si dhe Art dhe Media Digjitale në UBT, krijimin e dokumentarëve me tema të ndryshme, ajo është e hapur edhe për studentë të tjerë të interesuar, duke iu ofruar trajnime të veçanta në kamerë dhe montazh dhe duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e UBT-së.