Thran: Njerëzit aktivë dhe koha do të ndikojnë në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

16/05/2017

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet brenda natës, duhet kohë, përkushtim dhe njerëz aktivë, të cilët duan të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.

 

Këtë e ka thënë zv.shefi i EULEX-it, Berndt Thran, gjatë një ligjërate të mbajtur për studentët dhe stafin e UBT-së, e cila ndërlidhej me sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe me kushtet që duhen plotësuar për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare.


“Koha do ta sjellë paqen, por ju duhet të bëheni aktivë. Nuk duhet të prisni që dikush të merret me sjelljet tuaja, nuk do të jetë dikush tjetër që do i zgjidhë problemet tuaja”, porositi Thran, teksa shtoi se, “palët dhe gjeneratat e reja duhet t’u japin fund problemeve”.

 

Ai theksoi se integrimi evropian i Kosovës është një proces jetik, kjo për faktin se, sipas tij, nga integrimi varet jo vetëm zhvillimi politik, por edhe ai ekonomik i vendit.


“Pa zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë, Kosova nuk mund të përfitoj investime evropiane, të cilat hapin vende te reja pune për të rinjtë kosovarë, por pa procesin e normalizimit, është e pamundur të arrihen këto zgjidhje”, vlerësoi Thran, teksa si shembull konkret të një problemi të tillë e mori konfliktin ndërshtetëror mes Gjermanisë dhe Francës, në periudhën gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.


“Sfidat drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Francës dhe Gjermanisë ishin të mëdha, vështirë se dy shtete armike dikur, tash të bëheshin vende mike, por pa njerëzit gjermanë dhe francezë, paqja dhe pajtimi nuk do te ndodhte kurrë.

 

Në fund të kësaj ligjërate, referuesit u përgjigjën në pyetjet e të pranishmëve, që kryesisht kishin të bënin me sfidat që vijnë nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, me rastet e papërfunduara të EULEX-it mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, me vështirësitë të cilat i pati Gjermania në procesin e ribashkimit etj.