The University of South Florida nga SHBA, partner i ri i UBT-së

09/10/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka nënshkruar të premten një marrëveshje bashkëpunimi me “The University of South Florida” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është në kuadër të angazhimit të UBT-së për të mishëruar arritjet, vlerat dhe përvojat më të mira amerikane në kuadër të studimeve të larta në Kosovë.

 

“Studimet në UBT bazohen në përvojat më të mira akademike e shkencore ndërkombëtare, sidomos bazohen në vlerat e shkollës amerikane. Në kuadër të kësaj është edhe marrëveshja e arritur sot e cila ka një vlerë të jashtëzakonshme për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, është shprehur me këtë rast rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

 

Kjo marrëveshje bazohet në interesin e ndërsjellë të të dyja institucioneve në fushën e arsimit, kërkimit, trajnimit, zhvillimit dhe përhapjes së njohurive. Marrëveshja e arritur është interes i të dyja palëve për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

Marrëveshja parasheh lehtësimin e bashkëpunimit akademik dhe kërkimor midis palëve të bazuar në parimet e përfitimit të ndërsjellë si dhe pjesëmarrjen e palëve në takime shkencore dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare.