Të premten, fillon punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

26/10/2017

Nesër, duke nisur nga ora 10:00, do të fillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, që tashmë është bërë traditë dhe do të mbahet për herë të gjashtë në Durrës.

 

Në këtë organizim të madh do të marrin mbi 500 pjesëmarrës dhe do të prezantohen 320 punime shkencore të akademikëve e profesionistëve kombëtarë nga Kosova e Shqipëria, si dhe punimet e tyre do t’i prezantojnë edhe akademikë nga vende të ndryshme të botës, si nga SHBA, Austria, Gjermania, Britania e Madhe, Danimarka, Irlanda, Italia, Kroacia, Çekia, Norvegjia, Finlanda, Bullgaria, Polonia, Hungaria, Mali Zi dhe Maqedonia, teksa vlen të theksohet se ende po vazhdon pranimi i punimeve shkencore nga hulumtues vendorë e ndërkombëtarë.
Në konferencë do të jenë të ftuar po ashtu edhe zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët do të mbajnë fjalimet kryesore.

 

Qëllimi kryesor i kësaj ngjarje është që të bëjë të mundur shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive në mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria. Për këtë arsye, konferenca do ta shtrijë aktivitetin në 15 fusha të ndryshme, që do të mbahen njëkohësisht, përfshirë fushat:
• Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi;
• Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri;
• Sistemet e Informacionit dhe Siguri;
• Menaxhim i Mekatronikës dhe Robotikës;
• Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor;
• Inxhinieria Ndërtimit dhe Mjedisit me Infrastrukturë;
• Energji Efiçiente;
• Juridik;
• Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare;
• Gazetari, Media dhe Komunikim;
• Shkenca të Ushqimit;
• Shkenca Mjekësore, Kimi dhe Farmaci
• Dizajn i Integruar;
• Shkencat e Psikologjisë;
• Edukim dhe zhvillim.

 

UBT, përmes organizimit të konferencave shkencore, po jep kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, duke u mundësuar profesorëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shkencore, me ndikim në proceset akademike, por edhe me interes për publikun dhe ndjekjen e trendëve të fundit të zhvillimit në të gjitha fushat.

 

Për më shumë detaje, klikoni në: http://conferences.ubt-uni.net/2017/ , teksa pyetjet tuaja shtesë mund t’i dërgoni në: [email protected]