Studentët SHKI dhe të Sistemeve të Informacionit vizitojnë disa kompani të suksesshme

20/07/2017

Pjesëmarrësit të cilët po ndjekin ciklin e ligjëratave në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Sistemet e Informacionit, në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, kanë zhvilluar vizita studimore në disa kompani vendore, me qëllim që të njihen nga afër me punën dhe funksionimin e pajisjeve.

 

Fillimisht vizituan kompaninë telefonike “Z Mobile”, me drejtuesit e së cilës kanë diskutuar rreth teknologjisë që posedojnë. Ata janë pritur nga menaxherët e departamentit të IT, që thanë se kompania ushtron aktivitetet e telefonisë mobile virtuale, me pajisje më moderne të kompanisë Nokia-Siemens, lidere në teknologjinë e telefonisë mobile në botë.

 

Tutje, ata vizituan edhe kompanitë “Open Data Kosovo” dhe “Girls Coding Kosova”, ku janë njohur me zhvillimin e aplikacioneve që zhvillojnë këto të fundit, projekte të cilat i shërbejnë direkt shoqërisë.

 

Ndërkohë, vizituan edhe kompaninë “Zombie Soup”, me ç’rast janë pritur nga drejtori ekzekutiv Agron Avdimetaj. Duke prezantuar punën e kompanisë, ai ka theksuar se Kosovës i mungojnë njerëzit e specializuar në fushën e krijimit të lojërave dhe se kompania e tyre ka nevojë për njerëz të kësaj fushe e kreativë.

 

Përveç vizitave që janë zhvilluar, është mbajtur edhe aktiviteti për siguri kibernetike, në kuadër të ANV, “CERT Awards Kosova & Albania”. Në garën kibernetike kanë marrë pjesë hakerë nga vendi dhe më gjerë, të cilët janë testuar në infrastruktura të ndryshme.

Aktiviteti i lartë cekur është përkrahur nga “ICTSmedia” dhe “PC World”