Studentët nga Universiteti i Oslos për vizitë zgjodhën UBT

10/03/2014

Prishtinë 10 mars 2014- Një grup prej 30 studentëve nga  Republika e Norvegjisë, të cilët studiojnë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Oslos,  gjatë qëndrimit të tyre disa ditor  në Republikën e Kosovës, krahas aktiviteteve tjera, për vizitë akademike kanë përzgjedhur UBT-në,  nën organizimin e ligjëruesve të këtij institucioni  si  Emrush Ujkani dhe  Liridon Shurdhani.

 

Presidenti i UBT-së,  prof. dr. Edmond Hajrizi, studentëve nga shteti norvegjez,  përveç që ju dëshiroj mirëseardhje  ju  mbajti edhe një ligjëratë, për sektorin e edukimit në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për UBT-në  dhe programet të cilat ofrohen në këtë institucion të dijes. Ai gjithashtu të pranishmeve ju foli për mundësit e studimit në UBT duke u nisur nga fakti se kurrikula e programeve akademike në UBT është e avancuar dhe konform standardeve ndërkombëtare.  Ndërsa,  z.  Emrush Ujkani,  para studentëve mysafir,  foli për proceset e integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimore,  duke u ndalë veçanërisht në rastin e Kosovës, dhe për sfidat të cilat janë duke u ballafaquar vendet e këtij regjion  në përmbushjen e agjendës evropiane.  

 

Studentët  parashtruan gjithashtu pyetje  lidhur me dialogun e Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për mënyrën dhe kulturën e arsimimit në  UBT.   

 

Përzgjedhja për vizitën e UBT-së është bërë në bazë të përformancës së shkëlqyeshme që ka treguar UBT-ja, në të gjitha drejtimet  e studimeve,  për të cilën kanë dëgjuar studentët norvegjez.