Studentët e UBT-së vizituan Shqipërinë, takuan presidentin Nishani

26/05/2014

Prishtinë,  26  maj  2013-  Mbi 45 studentë të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit,  Shkencave Politike dhe Juridikut në UBT, gjatë këtyre ditëve organizuan vizitë katër ditorë në Republikën e Shqipërisë. Këtij organizmi studimor, përveç studentëve iu bashkëngjitën edhe disa nga anëtarët e stafit akademik të këtyre Fakulteteve.

 

Studentët gjatë kësaj vizite kanë vizituar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani,  i cili mbajti  një  fjalim  para studentëve   për  zhvillimet aktuale dhe nevojën e rinisë dhe politikës që t’i kushtojë më shumë vëmendje krijimit të kushteve  për të ardhmen e përbashkët.

 

Dekani Belul Beqaj, falënderoi  Presidentin Nishani,  në emër të studentëve dhe Presidentit  të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi. 

 

Po ashtu, presidenti Nishani në rrjetin e tij  social në facebook, ka postuar foto të realizuara bashkë me studentë ku komenton:  “Një takim shumë miqësor me studentë të UBT, Prishtinë. Bashkëbisedim i hapur me përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave Politike, Fakulteti i Medias dhe Komunikimit si dhe Fakulteti Juridik, nën shoqërimin e dekanit, prof. dr. Belul Beqaj”.

 

Gjatë të njëjtës ditë studentët kishin vizituar edhe sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite, përveç ambienteve të brendshme, ata patën mundësi të njihen edhe me rolin dhe funksionet e pozicioneve kryesore politike dhe administrative të Kuvendit, si dhe të bëjnë dallimet e praktikës parlamentare të Shqipërisë me atë të Kosovës.

 

Ditën në vijim studentët u pritën  në Ambasadën e Kosovës në Republikën e Shqipërisë nga i ngarkuari me punë dhe zv/ambasadori z. Gani Veselaj, i cili foli për rolin e ambasadave në politikën e jashtme të Kosovës, rëndësinë e veçantë që ka Ambasada e Kosovës në Tiranë në këtë fushë, si dhe për strukturën e brendshme organizative të ambasadës.

 

Vizitat vazhduan në TV Klan dhe ABC News, ku kryeredaktorët dhe gazetarët kishin organizuar ture për grupet e studentëve, që vizituan pjesën më të madhe të sallave të lajmeve dhe emisioneve të këtyre televizioneve, si dhe patën mundësi të bashkëbisedojnë e të shkëmbejnë eksperienca me punonjësit e tyre. Vizituan edhe disa institucione universitare.

 

Qëllimi i kësaj vizite bazohej në përftimin e informacioneve dhe njohurive dalluese karshi institucioneve homonime dhe medias që ka Kosova në raport me Shqipërinë. 

 

 “Vizituam disa institucione dhe i pamë nga afër se si zhvillohej puna ekipore në to, ngjashmëritë e dallimet nga Kuvendi i Kosovës. Më pastaj Presidenti Bujar Nishani na tregoi sfidat dhe sukseset në fushën e edukimit, arsimit. Por vendi që më ngjalli më shumë interesim ishte TV Klani, shikova se si realizohen lajmet drejtpërsëdrejti, si shkon procedura deri në publikimin apo transmetimin e lajmit.  Eksperiencë e paharruar që na ofroi UBT si gjigand i diturisë”, tha studentja Albina Zeneli.