Studentët e UBT-së vizituan OJQ-në “EC ma ndryshe”

12/04/2017

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës së UBT-së në Prizren, të shoqëruar nga profesorët Ilir Dalipi dhe Petrit Ahmeti, vizituan zyrat e OJQ-së “Ec ma ndryshe” në Prizren.


Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga drejtori ekzekutiv i kësaj OJQ-je, Edon Mullafetahu dhe koordinatorja e projekteve, Enesa Xheladini, të cilët i njoftuan me projektet e kësaj organizate, me implementimin e tyre, si dhe me përfshirjen e komunitetit në këto projekte.


Duke treguar mbi nivelin e interesimit qytetar për vizionin dhe dizajnimin e hapësirave publike, parqeve dhe intervenimeve mikro-urbane, si forma të reagimit dhe zgjidhjeve të problemeve urbane arkitektonike, përfaqësuesit e “EC ma ndryshe”, potencuan se ekziston një aktivizim i qytetarëve të Prizrenit, karshi problemeve infrastrukturore dhe urbane.


Tutje, studentët u njoftuan edhe për disa projekte aktuale në qendrën historike të Prizrenit, për elementet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti, si dhe për bashkëpunimin me organet komunale, për ta bërë këtë sektor të rëndësishëm për Komunën e Prizrenit, në atë mënyrë që të vetëmenaxhohet e të mirëmbahet nga gjenerimi i të ardhurave nga vizitorët dhe fondet publike, që jepen për trashëgimi kulturore.


Mes tjerash, përfaqësuesit e “Ec ma ndryshe” ofruan edhe databazën, plan-projektet dhe ndihmën e tyre për përdorim nga studentët për qëllime edukative.


Përfaqësuesit e “Ec ma ndryshe” shprehën nevojën dhe interesimin për vullnetarë dhe praktikantë në kuadër të projekteve aktuale, kurse studentet tanë treguan gatishmëri për përfshirjen e tyre në bashkëpunim dhe implementimin e këtyre projekteve.


 Në fund të kësaj vizite, palët u pajtuan që kjo vizitë e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës të UBT-së, të shërbejë si pikënisje për një bashkëpunim më konkret rreth projekteve të caktuara mes “Ec ma ndryshe” dhe studentëve të UBT-së, si dhe për krijimin e mundësive për angazhimin në praktikë të studentëve tanë.