Studentët e UBT-së vizitojnë punimet në autostradën “Arben Xhaferi”

20/06/2016

Një grup studentësh të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (Ndërtimtari e Infrastrukturë), në UBT, bashkë me profesorët e tyre, kanë vizituar punimet në autostradën Prishtinë – Shkup, “Arben Xhaferi”, të cilat po i kryen kompania e njohur në nivel ndërkombëtar, “Bechtel & Enka”.

Studentët janë shoqëruar për vizitë nga një Inxhinier përgjegjës, një përfaqësues nga Departamenti i Sigurisë në Punë, si dhe një përfaqësues i autorizuar për punët/marrëdhëniet me komunitetin, të cilët kanë siguruar edhe transportin. Vizita e studentëve ka filluar në kilometrin e 28-të, afër rrugës Gërlicë-Viti, ka vazhduar në bazën e kompanisë, afër Sojevës në Ferizaj; ka vijuar te kryqëzimi i autostradën afër Babushit të Ferizajt, ndërsa ka përfunduar te fabrika për prodhimin e betonit dhe të elementeve të tij, në punishten afër rrugës që çon për Gadime. Në pikat e vizitës, studentët janë njoftuar praktikisht me të gjitha elementet që janë të nevojshme për ndërtimin e autostradës.