Studentët e UBT-së vizitojnë objekte të lashta ndërtimore në Turqi

07/06/2017

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, të Arkitekturës dhe të Dizajnit të Integruar, të udhëhequr nga dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Muhamet Ahmeti dhe nga profesorët në UBT, prof. dr Ajhan Bajmaku dhe prof.. Skender Kosumi, kanë realizuar vizitë studimore në Turqi, me ç’rast kanë vizituar vende të ndryshme dhe objekte të rëndësishme, që i përkasin periudhës bizantine dhe asaj otomane, në Erdine dhe Stamboll.

 

Gjatë kësaj vizite, studentët vizituan muzetë, objektet fetare dhe monumentet tjera të lashta e të rëndësishme historike të Turqisë, disa prej të cilave konsiderohen të jenë veprat e fundit ndërtimore me rëndësi, të periudhës së lashtësisë së vonë.


Me këtë rast, ata vizituan muzeun e qytetit të Stambollit, “Aja Sofia”, pastaj Pallatin “Top Kapi”, që u shndërrua në muze në vitin 1924, duke u bërë kështu muzeu i parë i Republikës së Turqisë, Xhaminë e Kaltër, si dhe vizituan edhe Rezervuarin Bazilik, Xhaminë e Selimit në Erdine etj.

 

Kjo vizitë studimore u realizua me qëllim të njohjes së studentëve me ndërtimet arkitektonike të periudhës së hershme dhe me ndryshimet që kanë ndodhur ndërmjet formave së ndërtimeve në Turqi, nëpër periudha të ndryshme kohore.