Studentët e UBT-së u njoftuan për përpunimin e drithërave nga “M&Sillosi”

03/12/2016

Studentët e vitit të parë të UBT-së të Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, kanë vizituar fabrikën për përpunimin e drithërave “M&Sillosi, Devolli Corporation“, në fshatin Xërxë të Rahovecit.

Vizita studimore u mundësua nga profesorët e UBT-së, Namik Durmishi dhe Gafurr Xhabiri, në kuadër të lëndës “Lënda e parë me origjinë bimore”, të mirëpritur edhe nga menaxhmenti i fabrikës.

Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën nga afër me procesin e prodhimit dhe të përpunimit të drithërave, për mënyrën e shfrytëzimit të tyre, u njoftuan me menaxhmentin e fabrikës, ndarjen e punëve, pajisjet teknologjike, laboratorët, analizat që kryhen nga kjo kompani etj.


Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT është akredituar sivjet nga Agjencia Kosovare e Akreditimit, ndërsa ka grumbulluar një numër të madh studentësh, të interesuar për këtë fushë të re dhe shumë të kërkuar në Kosovë.