Studentët e UBT-së, pjesë e garës ndërkombëtare të arbitrazhit

23/02/2018

 

Studentët e Fakultetit Juridik, Melodika Abrashi, Leorentë Alija, Labinot Avdiu, Qëndresa Beka, Urtinë Maloku, Gertë Berisha, Pylljon Nura dhe Ylberina Bajraktari, po marrin pjesë në garën ndërkombëtare të arbitrazhit “VIS Pre-Moot”, që po mbahet për herë të katërt në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Kosovë.

 

Gara që do të zhvillohet përgjatë dy ditëve është aktivitet përgatitor për Garën Botërore të Arbitrazhit që do të mbahet në mars të këtij viti në Vjenë të Austrisë, derisa emrat e ekipeve fituese që do të dalin nga gara që po zhvillohet aktualisht, do të shpallen më 24 shkurt.

 

Studentët e UBT-së po e shohin si mundësi të mirë organizimin e këtij aktiviteti, sepse sipas tyre, po shërben në ngritjen e kapaciteteve të juristëve të rinj, në veçanti në fushën e zgjidhjes së kontesteve për biznes.

 

Për vite me radhë, në këtë garë botërore kanë marrë pjesë shumë gjyqtarë nga SHBA-të, BE-ja dhe vendet e rajonit, të cilët i trajnojnë studentët e universiteteve nga Kosova, Gjermania, Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

 

Vis Pre-Moot është program për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial dhe gara e zhvilluar në kuadër të tij shërben si platformë ku pjesëmarrësit zhvillojnë të menduarit logjik dhe ligjor.