Studentët e UBT-së me projekte për zgjidhje të problemeve në trafik

24/06/2016

Studentët e nivlet master të Fakultetit të Arkitekturës në UBT, gjatë një Konference njëditore, të organizuar nga UBT-ja, më temë “Siguria në trafik”, të premten, kanë prezantuar projekte të infrastrukturës rrugore, krejt me qëllim që të mënjanohen rreziqet e qytetarëve në trafik.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka përgëzuar studentët dhe profesorët e tyre për projektet, ndërsa ka shtuar se studentët kanë për detyrë që me projekte t’u ndihmojnë qytetarëve, duke identifikuar dhe zgjidhur problemet e tyre. Ai ka thënë se studentët, në kuadër të studimit kanë lidhur praktikën me teorinë, kanë identifikuar problemet në trafik dhe kanë bërë edhe propozime për zgjidhje të tyre. Po ashtu, e ka vlerësuar punën e studentëve, që kanë shkuar në komuna të Kosovës, kanë identifikuar problemet, siç është shprehur ai “në mënyrë që të shpërndajmë analizën gjithandje Republikës së Kosovës”.


Rektori inkurajoi studentët që të vazhdojnë të merren me problemet dhe të japin zgjidhje akademike për to. 
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, Lulzim Beqiri, ndërkaq, ka thënë se Fakulteti ka tendencë për të treguar ndërlidhjet e profesionalizimit akademik me problemet reale, siç janë këto të trafikut.


Profesori i Komunikacionit rrugor, Nol Deda, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me studentët, i ka cilësuar punimet dhe projektet të guximshme, teksa ka folur konkretisht për dobinë e tyre. Ai ka sqaruar pastaj për pikat e zeza në trafik, për pikat e konfliktit, për parkingjet dhe garazhet, për rrugët e kryqëzuara etj., për të cilat studentët kanë paraqitur projekte. Studentët, shpeshherë janë ndërprerë me duartoriktijet e të pranishmëve. Pas prezantimeve, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, njëherësh koordinator për çështje të sigurisë, XhemëVeseli, ka përgëzuar studentët për punën dhe ka sqaruar për aktivitetet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me përmirësimin e kushteve në trafikun rrugor. Ai ka saktësuar se aktualisht janë duke u përgatitur tri ligje, pa dhënë detaje se cilat janë ato.


Lendita Gashi, përgjegjëse për infrastrukturë rrugore në Policinë e Kosovës, ka treguar për numrin e aksidentëve në Kosovë. Sipas saj, sivjet, ka një rënie të të vdekurve në aksidente në raport me një vit më parë, por numri prapë është i madh, 45 të vdekur, 12 prej të cilëve në rrugët rajonale. Po ashtu, ka thënë se 44 për qind janë vetaksidentuar, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes. Projektet e UBT-së për trafikun i ka vlerësuar lart edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, RamëHamzaj. Në fund është zhvilluar një debat, në të cilin janë prekur problemet e vërteta në trafikun rrugor të Kosovës.