Studentët e UBT-së filluan vizitën nëpër Evropë

29/11/2017

Studentët e UBT-së të të gjitha fakulteteve, por veçanërisht ata të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Dizajnit të Integruar, kanë filluar vizitat nëpër shtete të ndryshme të Evropës, me qëllim të përfitimit të njohurive të reja mbi fushën e arkitekturës, ndërtimtarisë, artit e kulturës.

 

Turi i vizitave filloi me Austrinë, përkatësisht me Vjenën, ku u vizitua “Golden Quartier”, si një shembull i ripërtëritjes urbane, po ashtu vizituan Shtëpinë e Mozart-it dhe sallën më të vjetër të koncerteve, “Sala Terrena”, pastaj “Wien Mitte”, si një shembull i ritrajtimit të zonave ekzistuese urbane. Tutje, studentët realizuan vizitë edhe në kampusin e ri të Universitetit Ekonomik të Vjenës, “Gasometri”, si shembull i redestinimit dhe rigjenerimit të zonave të degraduara urbane, si dhe panë edhe hotelin Sofitel, si një shembull tipik i arkitekturës moderne.

 

 

Vizita do të vazhdojë edhe nëpër vende të tjera të Evropës, përfshirë Zagrebin, Rjekën, Venecian,  Milanon, Parisin, Brukselin, Amsterdamin, Roterdamin, Delfin, Desaon, Berlinin dhe Pragën,  me qëllim që studentët të përfitojnë përvoja të reja profesionale dhe të njihen nga afër me kulturën evropiane.