Studentët e UBT-së, falë Programit “Erasmus +” vazhdojnë studimet në universitetet evropiane

15/02/2017

Studentja e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Syzana Kajtazaj, është përfituese e bursës që ndahet nga Programi Erasmus+ International Credit, për studentët kosovarë. Kajtazi është duke i vazhduar studimet në Universitetin Nova de Lisboa, të Portugalisë.


Studentja Kajtazaj tha se përzgjedhja e saj në mesin e shumë studentëve të tjerë që kishin aplikuar, është rezultat i punës dhe përkushtimit të përbashkët të saj dhe profesorëve të UBT-së.


“Suksesi im është fryt i punës dhe përkushtimit tim, si dhe angazhimit të vazhdueshëm të profesorëve, për të ndërtuar studentë dhe profesionistë në aspektin akademik”, theksoi ajo dhe shtoi se UBT i përkrahë studentët e përkushtuar, që kanë potencial, përmes bursave.


“Pastaj përfitojnë mundësinë për studime jashtë vendit, për praktika dhe vende të reja të punës etj”, theksoi ajo. .

Duke treguar për përvojën e marrë gjatë muajve sa po studion në Universitetin NOVA, kjo studente vlerësoi se ka arritur të përmirësohet në aspektin profesional dhe në atë komunikues.


“Studimi në këtë universitet më ka bërë ta shoh veten se sa jam e aftë dhe se në cilat pika duhet të përmirësohem në aspektin akademik, ndërkaq falë kësaj përvoje, jam bërë më e hapur në komunikim me të tjerët”.


Muajt në vijim, Kajtazaj planifikon të kthehet në UBT, për të përfunduar studimet e nivelit bachelor, si dhe për të vazhduar me tutorim në lëndën e matematikës, punë të cilën e kishte bërë para se të shkonte në Portugali.