Studentët e UBT-së, faktor suksesi të një biznesi

30/11/2017

Kosova sot dhe çdo ditë përballet me lëvizjen drejt një epoke të re, asaj të ekonomisë së dijes. Punëtorët kanë nevojë për nivele të larta edukimi e kualifikimi, sepse në këtë mënyrë po i ndihmon ata që të përshtaten në një mjedis të punës.

 

Duke qenë kështu, UBT është i vetmi institucion në vend, që prioritet ka kualifikimin profesional të studentëve për tregun e punës. Po ashtu, institucioni ofron edhe trajnime praktike e njohuri të shumta rreth profesionit që zgjedhin studentët.


Por, suksesi i UBT-së tregohet më së miri me punësimin e studentëve, që dalin të diplomuar nga ky institucion. Ata qasen lehtësisht në tregun e punës, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror, derisa ka kompani që stafin e kanë të përbërë kryesisht me studentë dhe ish-studentë të UBT-së.


Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se UBT si institucion gjithmonë është fokusuar në përmbushjen e nevojave të industrisë dhe tregut kosovar, duke plotësuar nevojat dhe zbrastirat që i kanë lënë universitetet në fushën e edukimit dhe arsimit.


 “Të diplomuarit në UBT janë treguesi më i mirë i suksesit tonë, të cilët çdo ditë e më tepër po e gjejnë veten në tregun e punës. Synimi i UBT-së vazhdon të jetë përkushtimi që për studentët të ofrojë e krijojë jo vetëm një vend pune, por edhe t’i edukojë në atë mënyrë që ata të krijojnë punë për të tjerët”, potencoi Hajrizi.


UBT ka krijuar edhe qendra enkas për studentë, siç është ajo për karrierë, ku ofron këshilla dhe udhëzime në lidhje më orientimin dhe zhvillimin e një karriere profesionale të studentëve.


Përmes Qendrës së Karrierës dhe falë nënshkrimit të shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit mes UBT-së dhe bizneseve, studentët jo vetëm që punësohen por arrijnë edhe pozita mjaft të rëndësishme.


Drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota tha se përmes qendrës ndërmjetësohen vazhdimisht kontaktet e studentëve me bizneset, institucionet publike dhe organizata të profileve të ndryshme.


“Suksesi i studentëve të UBT-së tashmë dihet. Por, ne si qendër jemi në kontakt të vazhdueshëm me industrinë, ku përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit krijojmë mundësi të vazhdueshme për studentët tanë sepse ne shërbejmë si hallkë koordinuese mes punëdhënësit dhe studentëve”, ka thënë Bashota.


 

Vlen të theksohet se mbi 90 për qind e të diplomuarve në UBT arrijnë të punësohen dhe të vetëpunësohen në profile të ndryshme.