Studentët e SHKI-së vizituan Telekomin e Kosovës

23/01/2017

Studentët e vitit të tretë të fakultetit Shkenca kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, vizituan Telekomin e Kosovës, të shoqëruar nga ligjëruesi në UBT, Shkëlqim Berisha.
Vizita studimore ka zgjatur dy ditë, kurse është mbikëqyrur dhe organizuar nga menaxheri i Rrjetit Qendror në TK, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Burim Karahoda, i cili i njoftoi studentët me punën, pajisjet dhe përfaqësuesit e departamenteve gjegjëse në TK, me ç’rast secili prej tyre e ka sqaruar në mënyrë të detajuar punën e sektorit për të cilin është përgjegjës.


Profesori në UBT, Shkëlqim Berisha tha se  vizita është realizuar me qëllim që t’i përgatisë dhe t’i njoftojë studentët me punën praktike që kryhet në këtë institucion.

“Vizita shërben si urë lidhëse ndërmjet fundit të këtij semestri dhe fillimit të semestrit tjetër, i cili do të përqendrohet në komunikim  personal dhe mobil”, theksoi Berisha, për të vijuar se “vizita është fokusuar kryekëput në sektorët operacionalë të rrjetit qendror fiks dhe mobil.


Duke i inkurajuar studentët që të bëjnë sa më shumë punë praktike, menaxheri i Rrjetit Qendror në TK, Burim Karahoda vlerësoi se njohja e punës praktike dhe njohuritë mbi pajisjet përkatëse të shfrytëzuara ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e atyre që e ushtrojnë këtë profesion.

“Ne kemi ofruar mundësi për njohje praktike të pajisjeve, teknologjisë dhe ambientet e punës operacionale, të cilat kanë rol tejet të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm gjatë ushtrimit të këtij profesioni”, tha Karahoda, duke i inkurajuar studentët që të bëjnë sa më shumë punë praktike.

Studentët kanë mbetur të kënaqur nga kjo vizitë dhe kanë fituar njohuri të shumta, veçanërisht në aspektin e perceptimit më të detajuar të arkitekturës së gjithmbarshme të pajisjeve të përdorura.