Studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë vizita studimore në Pejë dhe Istog

25/04/2017

Studentët e vitit të parë në Fakultetin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT kanë vizituar Institutin Bujqësor në Pejë, me ç’rast kanë parë së afërmi teknikat e punës në kuadër të laboratorit analitik, gjenetikës së bimëve dhe atë në aspektin mikrobiologjik.


Studentët u shprehën se vizita të tilla studimore janë një përvojë e mirë profesionale, sepse përmes tyre ata kanë parë se si bëhet pranimi i mostrës, si jepet urdhëresa për përcaktimin e një game të parametrave të ujit, dheut, produkteve bimore, fidanëve të ndryshëm etj.


Instituti Bujqësor i Kosovës me seli në Pejë, është pjesë përbërëse e Ministrisë së Bujqësisë dhe është Instituti i vetëm i këtij lloj në Kosovë i cili bën një numër të madh të analizave të ndryshme, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për implementimin efikas të të gjitha programeve të kësaj ministrie.


Ndërkohë studentët kanë vizituar edhe ferma të ndryshme të gjedheve dhe dhive në Istog, të cilat janë të standardeve ndërkombëtare. Studentët kanë parë kështu procedurat se si bëhet marrja e mostrës së qumështit në forma të ndryshme, dërgimi në pikën grumbulluese dhe pranimin e mostrave. Po ashtu, ata panë se si bëhen testet e aplikueshme që përdoren për të parë gjendjen kualitative të mostrave të qumështit, duke i klasifikuar në klasa të ndryshme.