Studentët e programit të Shkencave Politike në UBT, Kampusi Ferizaj, zhvilluan punë praktike në Sarandë

01/06/2015

Gjatë datave 13-17 maj, studentët e programit Shkenca Politike, Kampusi Ferizaj, zhvilluan praktikë mësimore në Sarandë nën udhëheqjen e pedagogut të tyre Ridvan Peshkopia. Përmbledhur në projektin kërkimor Bashkimi Europian në Ballkan, studentët u përqendruan kryesisht në mbledhjen e të dhënave me sondazhe të opinionit publik të zhvilluar nëpërmjet telefonisë celulare dhe platformës programore iziSurvey, një prodhim risor i krijuar në Kosovë nga një grup ndërkombëtar akademikësh, inxhinierësh softuerikë dhe sipërmarrësish.

 

Kjo praktikë u zhvillua në kuadër të nismës në UBT për të rritur mësimdhënien bazuar në kërkim. Mbledhja e të dhënave është vetëm një nga etapat e kërkimit shkencor dhe studentët do të vazhdojnë mandej me analizimin e të dhënave dhe me interpretimin e tyre. Disa nga studentët do të jenë bashkautorë me pedagogun e tyre dhe punimet e dala nga ky projekt synojnë të paraqiten në konferenca shkencore dhe botohen nëpër xhornale akademike të disiplinave përkatëse.

 

Projekti kërkimor Bashkimi Europian në Ballkan është skicuar dhe drejtohet nga pedagogu i UBT-së Ridvan Peshkopia. Ky projekt synon të masë sjelljen politike dhe perceptimet e qytetarëve në gjashtë vende ballkanike që ende nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian, përkatësisht Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ky është një kërkim kuazi/pothuajse-eksperimental dhe përbëhet nga një sërë pyetësorësh. Synimi është të matet ndryshimi i përgjigjeve të të pyeturve teksa kalohet nga një pyetësor tek një tjetër dhe teksa pyetjet ndryshojnë disi. Ky projekt synon jo vetëm që të trajnojë studentët në metoda kërkimore sasiore, por ai kryesisht priret nga zhvillimi tek ta i dëshirës për kërkim e prodhim shkencor si edhe për t’i përgatitur ata në studimin e subjekteve akademike jo vetëm në mënyrë teorike por edhe në mënyrë praktike.