Studentët e gazetarisë vizituan televizionin Top Channel

11/04/2017

Studentët e vitit të dytë të drejtimit Media dhe Komunikim, vizituan televizionin Top Channel, në Tiranë, me ç’rast u pritën nga opinionisti, njëherësh edhe gazetar i showbizzi-it “Top Show”, Ervin Kurti.

Gjatë kësaj vizite ata u njoftuan me organizimin e mediumit, funksionimin, skenat e emisioneve, si dhe me ambientet tjera të punës.

 

Duke folur për rëndësinë e vizitave studimore nëpër mediume, Kurti tha se ishte hera e parë që i shoqëron dhe i informon një grup studentësh nga Prishtina, për televizionin ku ai punon, teksa mbeti i kënaqur me interesimin e tyre për të ditur më shumë rreth historikut të zhvillimit dhe funksionimit të Top Channel-it.

 

“Studentët ishin plot energji dhe dëshirë për të kuptuar se si funksionon një medium, fotot e tyre në skenat e emisioneve të njohura, sidomos te ajo e “Big Brother” dhe “The Voice”, tregon për ndikimin e këtyre programeve tek ta”, theksoi Kurti, teksa e vlerësoi lart kontributin e UBT-së, që u dha studentëve mundësi për të parë nga afër punën dhe organizimin që bëhet në një televizion të Shqipërisë.

 

Tutje, ai i inkurajoi studentët që të punojnë shumë me veten e tyre, në mënyrë që, sipas tij, një ditë të bëhen edhe kolegë dhe t’i bashkojnë forcat për informim të saktë të publikut dhe plasim të informacioneve në kohë reale.