Studentët e gazetarisë vizituan RTV 21

11/04/2017

Studentët e vitit të parë të drejtimit Media dhe Komunikim në UBT, të premten vizituan televizionin RTV 21, ku u pritën nga redaktori i portalit të RTV 21, Esad Dujaka.

 

Gjatë kësaj vizite ata u njoftuan me redaktorët e redaksive të ndryshme, me rrjedhën e punës, me historikun, sfidat, si dhe arritën të shohin nga afër ambientet e punës.

 

Ndërkaq, duke shkëmbyer përvoja dhe këshilla të frytshme me studentët, Dujaka  ka shprehur kënaqësi të madhe që ishte në mesin e studentëve të UBT-së.


“Studentët kanë treguar interesim të madh për mbarëvajtjen në këtë institucion informativ, i cili e nisi punën më 1998, si radio me një program informativ përmes valëve të BBC, dhe arriti në ditët e sotme me programe të llojllojshme”, vlerësoi ai.

 

Tutje, ai theksoi se këta të rinj ambiciozë treguan interesim sidomos për rolin e gazetarit të nesërm, për të kontribuar në rrjedhat e gjithëmbarshme të shoqërisë.


“Besoj së në UBT do të marrin njohuritë e kërkuara, e në këtë nuk dyshoj pasi kam besim të plotë në stafin mësimdhënës dhe mënyrën evropiane që zbaton UBT, në krye me prof.. dr Edmond Hajrizi”, pohoi Dujaka.


Vizitat studimore nëpër televizione dhe institucione të ndryshme vendore, po bëhen me qëllim të informimit dhe të vetëdijesimit të studentëve me mënyrën e punës, por edhe rëndësinë e profesionit të gazetarisë.