Studentët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit të UBT-së vizituan Zyrën për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë

06/04/2015

Një grup studentësh të vitit të dytë të Fakultetit Media dhe Komunikim, të UBT-së, në kuadër të vizitave të tyre studimore, qëndruan në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u njohën për së afërmi me punën e Zyrës për Informim në kuadër të këtij institucioni. 

 

Drejtori i Departamentit për Informim në MSH, Faik Hoti, u shpjegoi studentëve për natyrën e punës në zyrën për informim, misionin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet një sektor informim në një institucion qeveritar, siç është Ministria e Shëndetësisë.

 

Hoti shpjegoi për mënyrën e bashkëpunimit të zyrës që ai drejton me mediat, monitorimin e tyre dhe për çështje të tjera që hyjnë në natyrën e punës së këtij sektori, siç janë fushatat e ndryshme vetëdijësuese, sensibilizimin e opinionit me politika të ministrisë, e të tjera.

 

Studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim, bënë pyetje lidhur me punën në sektorin për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, bashkërendimin e punëve me departamente tjera në kuadër të këtij institucioni, organizimin e konferencave për media, komunikatave dhe njoftimeve për publikun që përgatiten nga kjo zyrë.