Studentët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit të UBT-së vizituan portalin “telegrafi.com”

16/04/2015

Prishtinë, 16 prill. – Studentët e vitit të parë të Fakultetit Media dhe Komunikim të UBT-së vizituan sot portalin “telegrafi.com” ku panë për së afërmi punën që bëhet në këtë media elektronike.

 

Lidhur me rrugëtimin “telegrafit” që nga themelimi e deri sot, për formën e financimit dhe përdorimin e teknologjisë më të re informative, studentëve u foli menaxheri për Marketing dhe Zhvillim, Shpend Sadiku. 

 

Sipas tij, “telegrafi.com” brenda 24 orëve klikohet mbi 500 mijë herë dhe karakteristikë e kësaj, siç tha ai, është se shumica e klikimeve tani bëhet përmes telefonave të mençur (smartphone: Android dhe Iphone) .

 

Studentët bënë pyetje lidhur me numrin e punëtorëve, formave të financimit, publikimit të lajmeve si dhe metodat që ky portal përdorë për të numëruar klikimet dhe artikujt më të lexuar.