Studentët e dalluar të UBT-së ndihmojnë kolegët në lëndë të caktuara

23/02/2017

UBT është institucion i përkushtuar për sukses të studentëve të vet. 
Ky institucion i arsimit të lartë ofron mundësi për të gjithë ata që ëndërrojnë të vazhdojnë studimet në ndonjërin prej universiteteve prestigjioze të botës.

 

Duke qenë kështu, studentja e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë, Abetare Shabani ka qenë bursiste e programit Erasmus+, për vazhdimin e studimeve në Universitetin NTNU, në Gjovik të Norvegjisë, prej nga u kthye me një bagazh të fituar, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo jetësore.

 

“Gjatë një semestri sa kam qëndruar në Norvegji jam pjekur shumë profesionalisht, por e kam pasur mundësinë të përfitoj edhe nga njohja e njerëzve dhe kulturave të tjera, që janë shumë të ndryshme nga ato të cilat jemi mësuar t’i shohim në përditshmëri”, theksoi Shabani.

 

Krahas kësaj, para se të vazhdonte studimet në universitetitin NTNU të Norvegjisë, ajo ka qenë e angazhuar në UBT, në cilësinë e tutores së matematikës.

 

Duke folur për përvojën e saj si tutore e studentëve, Shabani tha se është ndjenjë e mrekullueshme të kesh njohuri dhe mundësi të ndihmosh ata që kanë nevojë.

 

“Tutorimi është përvojë nga e cila përfiton secili që e ka fatin e njohuritë të ndihmojë të tjerët, pasi që përveç faktit që identifikohesh si student i dalluar, mësohesh të jesh më tolerant, më komunikues dhe më bashkëpunues”, tha Shabani, duke treguar interesimin e madh që kanë pasur studentët, për të qenë pjesë e orëve shtesë, të mbajtura vetëm për ta.
“Gjatë orëve të tutorimit, vazhdimisht kanë marrë pjesë mbi 40 studentë të interesuar, që u kam ndihmuar në ngritjen e cilësisë dhe njohurive të tyre në lëndën e matematikës”, tregoi ajo. teksa shtoi se planifikon që studimet e nivelit master t’i vazhdojë në UBT.