Studentët dhe ligjëruesi i UBT-së morën pjesë në Shkollën Dimërore për të Drejtën Evropiane

26/01/2015

Prishtinë, 26 janar. – Blerta Nuredini dhe Hermonda Kalludra, studente të vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Varshavës në UBT, kanë marrë pjesë në Universitetin Dimëror me temën “Marrëdhëniet e BE-së dhe Evropianizimi i Shoqërisë Kosovare, Ekonomia dhe Politikat”.

 

Shkolla dimërore u mbajt nga data 19 deri 23 janar 2015 dhe është organizuar nga Kosovo Young Cells Alumni, Universiteti i Prishtinës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Njëri ndër ligjëruesit në këtë shkollë dimërore ishte z. Veli Hoti, ligjërues në lëndën “E drejta Pronësore Intelektuale” në Fakultetin Juridik në UBT dhe ligjërues i Lëndës “Mbrojtja ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale” në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Varshavës në UBT. Z. Hoti në këtë shkollë dimërore ligjëroi në temën “Roli i Pronësisë Intelektuale në kontekstin e përafërimit të Politikave Konkurruese me ato të BE-së – përafrimi i legjislacionit kosovar dhe ndërtimi i institucioneve në Kosovë”.

 

Studentët, Blerta Nuredini dhe Hermonda Kalludra u shprehën se kanë marrë një përvojë shumë të mirë nga kjo shkollë dimërore, meqenëse shumica e ligjëruesve kanë qenë ekspertë nga Unioni Evropian. Përveç njohurive profesionale, kjo shkollë ka shërbyer edhe si mundësi shumë e mirë për të vendosur kontaktet me ligjëruesit dhe pjesëmarrësit e tjerë, që, gjithsesi është ndihmesë e madhe në avancimin profesional.