Studentja e UBT-së Fatbardha Fejzullahu synon t’i jap “jetë” Shtëpisë së Kulturës në Hajvali

22/03/2021

Dikur ishte Shtëpi e Kulturës, por tani hapësirat e sallave ku zhvilloheshin aktivitetet kulturore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Hajvalia” dhe kinemaja, janë shndërruar në deponi të mbeturinave.

 

E mu për këtë gjë, studentja e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Fatbardha Fejzullahu, ka bërë gati projektin për t’i dhënë prapë jetë, Shtëpisë së Kulturës në Hajvali. Ajo vendosi që projektin e saj ta publikojë gjatë periudhës së karantinës si pasojë e Covid-19, për t’i ofruar diçka pozitive rrethit.

 

Dëshira për të parë gjallëri në këtë ndërtesë, përmes aktiviteteve të ndryshme nga të rinjtë e Hajvalisë, solli projektin e Fejzullahut, pasi që ky objekt i ndërtuar nga Miniera e Kishnicës në vitet e 1950-ta, i kanë mbetur vetëm disa mura e rrënoja.

 

Sipas saj, rikonstruktimi dhe adaptimi për ripërdorim jo vetëm që do të rikthen ndërtesën, por rikthen historinë në këtë objekt dhe në lagje.