Studentja e UBT-së pjesë e ekspozitës në Tiranë

28/04/2015

Hatixhe Hoxha, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Arkitekturës të UBT-së, dega në Ferizaj, do të marrë pjesë në ekspozitën EkspoStilArkiASA4, e cila organizohet nga Qendra ASA, nga 1 deri më 3 maj 2015 në Tiranë.

Ajo do të prezantojë projektin Bunkerët, me konceptin Degradimi i natyrës dhe Integrohu me natyrën.

Duke folur për temën e ekspozitës, ajo thekson se tema ka të bëjë me lirinë e zgjedhjes së krijimit të veprës mes teknikës, materialeve, formatit, dimensioneve si dhe ngjyrave, që do të bëjë që artistët, stilistët dhe arkitektët të jenë më të lirë në krijimtarinë e tyre, gjë që është një mundësi e mirë për të promovuar talentet e pjesëmarrësve.

Projekti me të cilin do të paraqitet Hatixhja quhet Bunkeri dhe ajo beson se do të ketë pozitivitet në arkitekturën e Shqipërisë.

 

“Kur e analizoj faktin se po të mos ekzistonte thjeshtësia nuk do bëhej fjalë për madhështinë, atëherë e kuptoj se sa i rëndësishëm është ky virtyt. Cilësia më e bukur mund të jetë “thjeshtësia””, thekson ajo.

Znj. Hoxha thekson se qëllimi i ekspozitës është promovimi i artistëve të rinj nëpërmjet veprave artistike; Shkëmbimi i eksperiencave midis studentëve dhe profesionistëve të fushave të artisteve, stilistëve dhe arkitektëve nga treva të ndryshme (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj.); Ekspozita përfshin realizimin e 75 veprave (realizimi i 21 maketeve, projekteve nga Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia, Kosova, 33 vepra në arte figurative, 21 veshje/stilime).

Ajo nuk ka marrë pjesë më herët në ekspozita, dhe falënderon Qendrën ASA që vlerësoi aftësitë e saj dhe e përzgjodhi të jetë pjesë e kësaj ekspozite.

Ndërsa, duke folur për tematikën që përshkon paraqitja e saj për këtë ekspozitë, znj.Hoxha përgjigjet: “Koncepti i kësaj vepre bazohet në zbutjen e vrazhdësisë së bunkerëve (në Shqipëri numri i tyre është shumë i madh). Ideja është që këta bunkerë, përveç që të shfrytëzohen funksionalisht, gjithashtu të mund të kamuflohen dhe të integrohen në natyrë.

Ajo studion arkitekturën. Por, sa është inspiruese kjo degë e studimeve për të dhe çfarë pret nga e ardhmja?

“Arkitektura për mua paraqet një sferë të gjerë të studimit dhe njëherit konsiderohet si njëra prej degëve më atraktive për studim. Si e tillë ajo ka një gamë të gjerë të fushave të cilat i studion dhe ai  që studion arkitekturën ka mundësi shumë më lehtë ta gjejë veten brenda arkitekturës dhe njëherit të jetë mjaft atraktive për studim. Pasi që arkitektura konsiderohet më shumë si art, atëherë kjo gjë e bën edhe më inspiruese dhe mundëson njëherit që studenti të shprehë aftësitë artistike brenda arkitekturës. Arkitektura në ditët e sotme konsiderohet si njëra nga profesionet më me perspektivë dhe pres që në të ardhmen të kem mundësi për projekte si brenda vendit ashtu dhe projekte ndërkombëtare”, thekson Hatixhe Hoxha.