Studentja e UBT-së, Fatbardhë Kiqina fiton çmimin prestigjioz në garën e organizuar nga UNICEF Innovations Lab Kosovo

08/02/2017

Studentja e vitit të dytë në Media dhe Komunikim në UBT, Fatbardhë Kiqina është shpërblyer me çmimin “Artikulli më i mirë informativ”, në Garën e kritikëve të rinj, organizuar nga UNICEF Innovations Lab Kosovo.


Gara është mbajtur në kuadër të punëtorisë “PONDER”, për ngritjen e nivelit të të menduarit kritik, që është organizuar gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, me ç’rast studentja Kiqina u përzgjodh në mesin e 300 të rinjve që kishin aplikuar.


Kiqina tha se çmimi i fituar është shpërblim i punës dhe mbështetjes së madhe që profesorët e gazetarisë e bëjnë me studentët e këtij drejtimi.


“Sukseset vijnë vetëm atëherë kur dashuria e madhe për profesionin bashkohet me mbështetjen dhe angazhimin e profesorëve, të cilët shërbejnë jo vetëm si model dhe shembull në aspektin profesional, por edhe në atë jetësor”, u shpreh ajo.


Dekani i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, prof. dr Ferid Selimi tha se të konkurrosh me një ose më tepër punime në një garë me një mori krijuesish dhe të dalësh ndër fituesit e parë të çmimeve të ndara në atë garë është një satisfaksion i krejt asaj që ke bërë ose që bën.


“Kur një studente, përkatësisht Fatbardha, që mbase fillet e para të studimit të gazetarisë dhe të mendimit kritik i ka nisur në UBT, arrin një sukses, s’ka sesi të mos na gëzojë edhe neve që japim mësim ose që i kemi dhënë mësim”, theksoi Selimi, i cili duke folur në cilësinë e ligjëruesit, potencoi se “është një kënaqësi e veçantë kur dëgjon për sukseset e një studenti që e ke njohur, e njeh ose që mbase ke qenë pjesë e ndërtimit dhe mendimit të tij”.


Tutje,  Selimi, duke i inkurajuar studentët që të punojnë për të arritur profesionalizmin, tha se suksesi  është sa i studentes, po aq edhe i UBT-së, sepse sipas tij, UBT i ka krijuar kushte, që ajo të zhvillojë talentin e saj si në të shkruar ashtu edhe në të gjykuar.


“UBT ofron kushte dhe kuadro të përgatitura, për studentët, prandaj porosia ime për të dhe për të gjithë studentët është që të mos ndalen së punuari, sepse kriteri i vetëm, i pari e i fundit për t’u bërë i suksesshëm në jetë, është ai i të punuarit”, përfundoi dr.Selimi.


Edhe ligjëruesi në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit, Ganimet Klaiqi tha se çmimi që studentja Fatbardhë Kiqina e ka fituar tregon se në UBT, të gjithë ata që duan të arrijnë rezultate, kanë mundësi të mrekullueshme.


“Fatbardha, ndërkaq, si edhe shumë të tjerë, e ka po atë synim, që të bëhet një gazetare e devotshme – paraqitjen reale të informacioneve. Fatbardhës i uroj shumë suksese, ndërsa shpreh dëshirën që raste të këtilla të na përsëriten, aq më tepër kur UBT-ja gradualisht po shndërrohet në akademi të gazetarisë në rajon dhe më gjerë”, tha Klaiqi duke shkruar  se “ajo është një shembull për perspektivën e gazetarisë, që duhet ndjekur edhe nga të tjerët”.

 

UBT e ka të akredituar drejtimin Media dhe Komunikim qe katër vite, në nivelin bachelor dhe master.