Studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim, Blerta Gashi, punësohet në portalin Insajderi

07/06/2021

Studentja e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim, Blerta Gashi, është punësuar në portalin Insajderi. Ajo aktualisht mban pozitën e gazetares në redaksinë e lajmeve dhe merret me redaktimin e lajmeve të medias rozë.

 

Blerta theksoi se falë bashkëpunimeve të UBT-së me industrinë i është dhënë mundësia që të punësohet në njërin nga portalet më prestigjioze në Kosovë.

 

“Profesorët me ligjërata cilësore, si dhe me profesionalizëm, duke bërë kombinimin e teorisë me praktikën na kanë përgaditur për tregun e punës, ku fillimi i karrierës time në këtë profesion, filloi me shumë sukses”, tha ajo.

 

Ndërkaq, Blerta potencoi se kur ka filluar hulumtimin se ku do t’i zhvillojë studimet e saj, e ka vërtetuar që UBT është vendi i duhur.

 

“Sigurisht që u ndikova edhe duke parë se ligjëruesit ishin prej më të mirëve, dhe që doli ashtu si kam menduar, ku falë studimeve në UBT arrita të filloj të punoj në profesionin që gjithmonë e kam dashur”, tha ajo.

 

Shumë studentë të Fakultetit Media dhe Komunikim, menjëherë pas studimeve, ose edhe gjatë studimeve, arrijnë që të punësohen në vende të ndryshme të punës, kjo edhe si rezultat i bashkëpunimeve të UBT-së me kompani të ndryshme mediatike.