Studentja Blendina Llabjani është punësuar në Zyrën ligjore “Interlex Associates”

23/04/2015

Studentja e vitit të tretë të Fakultetit Juridik në UBT, Blendina Llabjani është punësuar në Zyrën ligjore “Interlex Associates” në Prishtinë, pas një periudhe internshipi prej gjashtë muajsh kryer në këtë zyrë, përmes Qendrës së Karrierës së UBT-së.

 

Ajo i ka filluar studimet në UBT në vitin 2012, ndërsa në periudhën nga tetori 2014 deri në prill 2015 ka qenë në internship në “Interlex Associates”, ku tashmë është punëtore e rregullt e kësaj kompanie.

 

“Përveç shumë privilegjeve të tjera që më ka mundësuar UBT, falë Qendrës së Karrierës së UBT-së, e cila ka bashkëpunim për ofrimin e mundësive praktike për studentët me Zyrën ligjore “Interlex Associates” kam filluar praktikën në këtë zyrë ligjore. Kjo më mundësoi mua si studente që mësimet e mësuara në teori t’i zbatoj në praktikë, duke marrë pjesë në seanca gjyqësore, duke përpiluar vetë akte juridike të përgjithshme dhe të veçanta dhe punë të tjera administrative”, thotë Llabjani, duke shtuar se pas përfundimit të aftësimit profesional Zyra ligjore “Interlex Associates” i më mundësoi të vazhdojë të jetë pjesë e stafit të kompanisë, tash si punëtore e rregullt.

 

“Si studente e UBT-së kam një rekomandim për studentët e tjerë, që të mos hezitojnë të aplikojnë për punë praktike, sepse është një mundësi shumë e mirë për ta që në të ardhmen të bëhen pjesë e kuadrove të ndryshme profesionale”, thekson Blendina Llabjani.