Studentja Arta Rrustemi, nga UBT me bursë në Universitetin Humboldt në Berlin

02/02/2016

Studentja e UBT-së, Arta Rrustemi, pasi ka fituar bursën e programit Erasmus, po i vazhdon studimet njëvjeçare në Universitetin Humboldt në Berlin të Gjermanisë.

“Ky vit është një sfidë për mua, por përgatitja në UBT ishte e mjaftueshme dhe mësimdhënia nuk ka shumë dallim. E çmoj  ligjërimin në UBT dhe i gëzohem kthimit pas kësaj eksperience”, thekson Arta.


Përmes një shkrimi të saj të shkurtër, Arta prezanton përvojën e saj:

 

Ditën e arritjes në Berlin ishte një ditë e ftohtë vjeshte. Para se të mbaroj vitin e parë, mora lajmin se kisha fituar bursën e programit Erasmus, që do të me mundësonte studimin njëvjeçar në Universitetin Humboldt.

Isha e emocionuar, edhe pse nuk ishte hera e parë që isha në Kryeqytetin (dikur të ndarë) gjerman. Berlini është një vend me përditshmëri dinamike dhe ndër qytetet më të mira për jetën studentore.


Kur arrita në Berlin, studentët e tjerë të Programit Erasmus ishin përgatitur për të dalë. Jeta e natës në Berlin është shumë argëtuese. Kreuzberg, K‘ Dum, Warschauer Strasse, e Mitte janë të mbushura me njerëz. Në krahasim me Prishtinën, të rinjtë e Berlinit vishen shumë më thjesht dhe në klubet e natës nuk ka asnjë kod veshjeje. Tash jam e dashuruar në stilin e jetës së Berlinit. Për ta zbuluar Berlinin ka shumë vende historike e kulturore.


Universiteti Humboldt, aty ku i ndjek ligjëratat, është mahnitës. Ndërtesat e Universitetit gjenden në qendër të qytetit. Koncepti i Universitetit Humboldt është krijuar 200 vite më parë. Wilhelm von Humboldt ka pasur për qëllim të bëjë unifikimin e hulumtimit dhe mësimdhënies, të krijojë realitetin e arsimit gjithëpërfshirës për studentët. Edhe pas 200 viteve, studentët ende përfitojnë nga ky vizion. Universiteti ofron një bibliotekë me literaturë të gjerë dhe një ambient të mirë për studentë.


Për semestrin dimëror kam zgjedhur 35 kredite. Ligjëruesit janë gjermanfolës apo anglishtfolës. Pak më ndryshe se në UBT, matematika përfshihet në shumë lëndë. Ky vit është një sfidë për mua, por përgatitja në UBT ishte e mjaftueshme dhe mësimdhënia nuk ka shumë dallim. E çmoj  ligjërimin në UBT dhe i gëzohem kthimit pas kësaj eksperience.

 

Jam shumë e lumtur që m’u dha mundësia për një përvojë të re.