Studenti Sadedin Nika zgjidhet kryetar i Këshillit Studentor në UBT

03/12/2021

Në mënyrë që përfaqësimi i studentëve të jetë sa më dinjitoz, UBT ka organizuar zgjedhjet për përzgjedhjen e përfaqësuesve të studentëve, të cilët do të udhëheqin dhe do të ndërmarrin vendime krahas kërkesave dhe interesave të studentëve të institucionit.

 

Nën monitorimin e drejtorit për Çështje Akademike në UBT, Muhamet Ahmeti, sekretarit të UBT-së, Artan Tahiri, drejtorit të Menaxhimit të Cilësisë në UBT, Bekim Marmullaku, si dhe menaxherit për Çështje Studentore, Murat Retkoceri, është realizuar procesi zgjedhor për përfaqësuesit e studentëve, në një proces të drejtë dhe transparent.

 

Sadedin Nika, fitoi besimin e përfaqësuesve të studentëve nga fakultetet përkatëse të UBT-së, për të marrë drejtimin e Këshillit Studentor, dhe për të organizuar punën që e pret këtë këshill drejt kërkesave të studentëve të UBT-së.

 

Në pozitën e nënkryetares së Këshillit Studentor është përzgjedhur Tringa Avdyli, teksa sekretare e Këshillit Studentor do të jetë Fjolla Krasniqi, nga ku së bashku me përfaqësuesit e tjerë të përzgjedhur të Komisionit të Ankesave, Komisionit për Cilësi, Komisionit Disiplinor, si dhe Këshillit Akademik, do të adresojnë kërkesat dhe interesat e studentëve të UBT-së.

 

Nga menaxhmenti i lartë i UBT-së, përfaqësuesve të studentëve iu bë e qartë se do të kenë mbështetjen nga të gjitha mekanizmat e UBT-së, përderisa përpara i pret një punë me përgjegjësi dhe përkushtim.