Studenti i UBT-së projekton maskën mbrojtëse më inovative me printer 3D për punëtorët shëndetësorë

13/04/2020

Nevoja për pajisje mbrojtëse ndaj virusit COVID-19, sidomos për stafin mjekësor, por në përgjithsi edhe për qytetarët, ka shtyer studentin e Fakultetit Arti dhe Media Digjitale në UBT, Arbnor Demaj, të përdorë zgjuarsinë dhe aftësitë e tij për të projektuar maskën mbrojtëse më inovative, që tashmë e ka krijuar dhe punuar me printer 3D.

 

Ai ka përdorur formatin 3D, pajisje që i ka ndihmuar në nxjerrjen e produktit final, produkt  do të jetë në dispozicion për institucionet shëndetësore kosovare si ndihmë në luftën ndaj këtij virusi që ka prekur botën.

 

Vetë ideatori i maskës, studenti i UBT-së, Arbnor Demaj, tha se kjo pajisje është shumë praktike dhe është dizajnuar në atë mënyrë saqë mbulon pjesët e fytyrës.

 

“Përdorimi i maskës është shumë i lehtë dhe i thjeshtë, vendoset në kokë, në pjesën ballore. Gjithashtu maska mund të përdoret më shumë se një herë, përkatësisht vetëm plastika transparente mund të ndërrohet dhe të zëvendësohet me një të re, duke mundësuar përdorimin e kornizës së maskës më shumë se një herë. Kështu që falë këtij dizajni përveç që do të mbrojmë jetën e mjekëve apo infermierëve, si dhe individëve të cilët e përdorin, mundësohet që të ruhet mjedisi falë materialit të saj riciklues dhe shumë përdorues duke mos pas nevojë që të hedhet produkti”, potencoi studenti Arbnor Demaj.

 

Prodhimi i këtij produkti është përkrahur fuqishëm nga UBT, e nga vetë rektori, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili ka deklaruar se institucioni do të ndihmojë në çdo aspekt prodhimin e një sasie të konsiderueshme të maskave të tilla falë laboratëve inovativ që institucioni posedon.