Studenti i UBT-së, Musa Bajmak, pjesëmarrës në Konferencën “Change the World Model United Nations – CWMUN”

31/03/2023

Studenti i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, Musa Bajmak, ka fituar bursë nga East West European Institute për të përfaqësuar Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – OKB, në Konferencën “Change the World Model United Nations – CWMUN”, që këtë vit do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përzgjedhja e tij në mesin e 5000 studentëve në gjithë botën që do të marrin pjesë në këtë konferencë sipas Bajmak është një ndjenjë shumë e mirë për të përfaqësuar të rinjtë e Kosovës, teksa ka inkurajuar studentët e tjerë që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të tjera në një institucion lider si UBT.

“Në UBT, para së gjithash, gjeta një numër të madh të kolegëve të rinj që me siguri do të jenë të shkëlqyer në të ardhmen. Në UBT, ju do të jeni një studentë ndërkombëtar dhe do të keni mundësinë që të njihni botën, por edhe bota t’ju njohë juve”, ka thënë ai.

Konferenca “Change the World Model United Nations – CWMUN” përfaqëson një kongres të të rinjve në zgjidhjen e ndryshimeve klimatike dhe gjeopolitike në botë, dhe ka për qëllim të transmetojë tek të rinjtë ndjenjën e përgjegjësisë për çështjet që ndikojnë në planetin tonë dhe t’i trajnojë ata për të inkurajuar angazhimin e tyre konkret si udhëheqës dhe mendimtarë të së ardhmes.