Studenti i UBT-së, Lend Sylejmani, përfitues i bursës për shkëmbim studentor në Universitetin Anhalt – Gjermani

25/05/2021

Studenti i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Lend Sylejmani është përfituesi i radhës i bursës Erasmus+, për të vazhduar studimet për një semestër në Universitetin Anhalt të Gjermanisë.

 

Lendi, synimet e tij për të ardhmen i gërshetoi vite më parë me UBT-në, duke zgjedhur këtë institucion për të studiuar dhe ngritur profesionalisht në fushën që ai është profilizuar.

 

“Duke qenë një person ambicioz, me synim të arritjeve të mëdha në të ardhmen, vendimi për përzgjedhjen e universitetit për studime ka qenë diçka shumë e rëndësishme për mua, dhe pikërisht përzgjedhja që kam bërë unë që të studioj në UBT më ka vërtetuar këtë gjë”, ka thënë studenti i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Lend Sylejmani.

 

Platformat digjitale, programet cilësore dhe sistemet inovative e moderne e kanë bindur Lendin që UBT është zgjidhja e duhur dhe më e mira për t’u bërë më i miri, dhe kësisoj ai shtyri vetën për të aplikuar edhe për shkëmbim studentor.

 

“Përmes infrastrukturës moderne dhe laboratorëve të sofistikuar, UBT ofron studimet më cilësore që e kompletojnë formimin tim si student.  Arritjet e deritanishme në UBT gjatë studimeve më kanë mësuar shumë, përtej pritshmërive të mia, kështu që unë dua të vazhdoj edhe më tutje, meqenëse bagazhi im i njohurive duhet të plotësohet, jo vetëm në aspektin arsimor, por edhe në atë kulturor, ndaj edhe kam vendosur të aplikoj për shkëmbim studentor, në Universitetin Anhalt të Gjermanisë”, ka thënë ai.

 

Përmes programit Erasmus+ dhe bashkëpunimeve të shumta me universitete të ndryshme evropiane, UBT është duke u ofruar studentëve mundësinë për të vazhduar studimet për një semestër në universitetet më të njohura evropiane, kështu duke shkëmbyer dhe fituar përvoja dhe njohuri të reja.