Studenti i UBT-së, Erion Mecini do të vazhdojë studimet në Universitetin e Salzburgut

21/09/2021

Storjet e suksesit janë kurorëzim i punës së palodhshme që bëhet në UBT në bashkëpunim të ngushtë të profesorëve, studentëve dhe gjithë stafit, dhe kjo e bën UBT-në një institucion modern dhe evropian që është në përkrahje të vazhdueshme të studentëve të saj.

 

Përkrahjen e njëjtë e kishte edhe studenti i Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Erion Mecini, i cili nëpërmjet programit PoSIG, falë UBT-së dhe bashkëpunimeve me universitete partnere, do të vazhdojë studimet e nivelit Master në Universitetin e Salzburgut në Austri.

 

Cilësia e studimeve në UBT, si dhe mundësitë që institucioni i ka dhënë përgjatë gjithë kohës të gjithë studentëve, kanë bindur Erionin që t’i bashkohet një ekipi të suksesshëm profesionistësh dhe ekspertësh, që atë e ndihmuan që të zhvillohet ditë pas dite.

 

“Studimet janë pjesa më e rëndësishme në rrugëtimin tonë dhe duhet të na lënë kujtime të veçanta, e ajo që këto studime i bën të veçanta në UBT janë: cilësia e stafit, ambienti i ngrohtë dhe bashkëpunimi me profesorë, të cilët shquhen si më të mirët në vendin tonë”, ka thënë studenti i Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Erion Mecini.

 

Për mundësinë e shkëmbimit studentor ai u shpreh shumë i lumtur duke thënë se do të përfitojë shumë gjëra, ndër të tjera edhe kultura të reja dhe këndvështrime të ndryshme.

 

“Nga shkëmbimi studentor unë pres të përfitojë zhvillimin e aftësive për të komunikuar në barriera të shumta gjuhësore në një sërë skenarësh të ndryshëm, si dhe pres të përmirësoj aspekte të tjera kryesore sa i përket të folurit në publik dhe shkrimit akademik, në të njëjtën kohën duke krijuar një rrjet global të kontakteve”, ka thënë ai.

 

Programi PoSIG është një program për nivelin master që mbulon të gjitha fushat e Shkencave Politike, që bashkë me partnerët ndërkombëtarë të UBT-së që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor po u ofron studentëve një mundësi unike për të vazhduar studimet e tyre jashtë vendit në universitete prestigjioze dhe me emër nga këto vende.