Studenti i UBT-së, me ide unike ndërtimi

08/02/2017

Studenti i vitit të tretë në drejtimin e Arkitekturës, Granit Bytyçi tash e  gjashtë muaj është bërë pjesë e kompanisë së njohur ndërtimore, Al Trade Center, ne sektorin ndërtimit, përkatësisht në menaxhim dhe projektim.


Duke treguar arsyet e zgjedhjes së UBT-së, si institucioni të cilit ia ka besuar karrierën dhe të ardhmen e tij, Bytyçi tha se UBT e ka bërë profesionist dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij profesioni.


“Arkitektura është profesioni të cilin kam ëndërruar ta kem gjithmonë, por serioziteti, profesionalizmi dhe puna e palodhshme e stafit të UBT-së, ka bërë që unë të vetëdijesohem për rëndësinë dhe peshën e madhe që e bart ky profesion dhe secili njeri që e ushtron atë”, theksoi ai, teksa përmendi mënyrat e marrjes së njohurive dhe kushtet e ofruara gjatë studimeve.


“Hapësirat e mjaftueshme të punës, angazhimi, profesionalizmi dhe aftësitë komunikative të profesorëve, pastaj mënyrat e dhurimit dhe transmetimit të ideve tek studentët, janë mënyrat më të mira për marrjen dhe krijimin e ideve në këtë institucion”.


Bytyçi përmendi edhe vizitat studimore, si njëra ndër format praktike të marrjes së përvojës dhe njohurive.

“Kam qenë pjesë e vizitave studimore nëpër institucione të ndryshme vendore, si dhe gjatë vizitës së realizuar në Tiranë dhe Dibër, ku e kemi analizuar nga afër objekte dhe punime të ndryshme arkitekturore”, tregoi ai.


Falë njohurive teorike të fituara në UBT, studenti Bytyçi ka arritur të zhvillojë një koncept unik ndërtimi, i cili nuk është zhvilluar në Kosovë më parë.

“Projekti im është në kuadër të objekteve të banimit, të cilat quhen të gjalla ose lëvizëse, për rastet kur njësia banesore ka nevojë për diellosje dhe hapësirë më të ndriçuar”, shpjegoi ai, teksa e arsyetoi nevojën për krijimin dhe realizimin e një projekti të tillë.

“Projekti parasheh ndërtimin e njësive banesore me mekanizëm lëvizës, që u mundëson atyre diellosje të mjaftueshme, si dhe mungesë të qasjes direkte vizuele me njësitë tjera banesore, cilësi këto që shkojnë në funksion të ruajtjes së privatësisë individuale a familjare”, shpjegoi Bytyçi.

 

Duke folur për të ardhmen, ai tha se planifikon t’i vazhdoj studimet e nivelit master në UBT, me qëllim të arritjes së shkallës më të lartë të profesionalizmit.