Studenti i UBT-së lehtëson pajisjen me patentë shofer

15/02/2017

Të interesuarit për pajisje me patentë shofer, tash e tutje do ta kenë shumë më lehtë të mësojnë në këtë fushë, për faktin se një student i Fakultetit të Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, ka arritur që në mënyrë elektronike t’i grumbullojë të gjitha llojet e të dhënave në një aplikacion të vetëm.


Studenti Alban Sahiti, njëherësh bashkëthemelues i kompanisë “TENTON” për zhvillim dhe programim të softuerëve, aplikacioneve mobile dhe ueb faqeve të ndryshme, për kompani dhe institucione brenda e jashtë Kosovës, ka zhvilluar një aplikacion për t’u ofruar ndihmë shoferëve të rinj, në të cilin përfshihen teste elektronike, literaturë e nevojshme, ilustrime me video për mënyrën e sjelljes në komunikacion, dokumentet e nevojshme për regjistrimin e lejes, si dhe gjetjen e autoshkollave nëpër të gjitha qytetet e Kosovës.


Duke treguar për synimet e tij, Sahiti theksoi se aplikacioni “Autoshkolla” është dizajnuar me qëllim që të lehtësojë procedurat dhe metodën e të mësuarit nga shfrytëzuesit.
“Qëllimi i aplikacionit është që përmes një dizajni atraktiv dhe lehtësisht të pranueshëm, shoferët e rinj të përgatiten për pjesën teorike të marrjes së patentë shoferit. Të njëjtin po mundohem ta zhvilloj edhe për Shqipëri dhe për vendet e tjera të rajonit”, the ai, teksa tregoi që ky aplikacion mund të shkarkohet dhe të shfrytëzohet nga të gjithë njerëzit që përdorin llojet e telefonave të mençur, Android dhe iOS.


Në UBT ndodhet shkolla më e madhe për shkenca kompjuterike, ku studiohet në bazë të metodave më të sofistikuara dhe udhëhiqet nga një staf akademik i kualifikuar dhe profesionalisht i përgatitur.

Linqet për shkarkim të aplikacionit: për Android dhe iOS:

 

https://itunes.apple.com/app/id1193245391
https://play.google.com/store/apps/details…