Studenti Flamur Gajtani punësohet në Klan Kosova

13/11/2018

Flamur Gajtani është student i vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim, por tashmë ai është edhe gazetar profesionist.

 

Puna e tij intensive dhe njohuritë e fituara përgjatë studimeve, atij i janë shpërblyer me punësim në Klan Kosova, pas më shumë se dy muajve të kaluar si praktikant.

 

Ai aktualisht është i punësuar si gazetar në deskun informativ, me ç’rast puna e tij është të bëjë përcjelljen e ngjarjeve të ndryshme nga zhvillimet në vend, për të cilat ka interes publiku dhe që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit.

 

Flamuri vlerësoi se muajt e praktikës e kanë pjekur jashtëzakonisht shumë profesionalisht dhe i kanë ndihmuar që të fillojë ta ndjejë veten si gazetar, por, sipas tij, studimet në UBT kanë qenë çelësi për të dashur profesionin e gazetarisë.

“Pjesa teorike e mësuar në UBT ka qenë bazë për formësimin tim si gazetar, pa të cilën vështirë se do të arrija këtu ku jam. Njëkohësisht, mësimet e marra në UBT kanë qenë çelës për karrierën time tashmë profesionale”, tha ai.

Flamuri posa ka filluar rrugëtimin e tij profesional, të cilin pret ta vazhdojë edhe më tutje. Ai synon që brenda këtij viti akademik të përfundojë me sukses studimet bachelor dhe pastaj të vazhdojë edhe avancimin e mëtutjeshëm akademik përmes nisjes së studimeve master në UBT.